Kreu i Qeverisë thotë se dy taksat që ka rritur mazhoranca socialiste gjatë qeverisjes së saj janë ajo për kompanitë e mëdha dhe ajo e karburantit.
“Ne e kemi rritur taksën për kompanitë e mëdha dhe kemi rritur edhe taksën e karburantit dhe natyrisht edhe taksën për këdo që ka një pagë mbi 600 mijë lekë. Mos ngatërrojmë faturat e dritave dhe faturat e ujit me taksat, ato nuk janë taksa. Sigurisht që kush ishte mësuar të mos paguante ujë dhe drita i duket sikur sot paguan më shumë, por nuk paguan taksa. Paguan detyrime dhe paguan për mallin që konsumon”, tha Rama.
Rama shpjegoi gjatë turit të llogaridhënies në Lezhë se rritja e taksës së karburantit erdhi pasi FMN kërkoi masa drastike tek pagat dhe pensionet.
“Në mandatin e parë ishim në një situatë shumë-shumë të rrezikshme financiare dhe kur ne thirrëm FMN për të shuar çdo vatër të mundshme zjarri FMN na tha ulni pagat dhe pensionet. Ne refuzuam të ulnim rrogat dhe pensionet se s’mund ta bënim këtë. Ku do t’i gjenim ne paratë për të financuar gjithë operacionet e nevojshme? Kishim disa mundësi për të vendosur taksa të ndryshme, preferuam të rrisim taksën e karburantit”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i qeverisë tha se PS ishte e vetmja force politike që mund të merrte rekomandimin për hapjen e negociatave me BE dhe nisjen e reformës në drejtësi.
Top Channel