Kompania ndërkombëtare e tregtimit të karburanteve Gulf Oil, ka hequr përgjegjësinë nga vetja për skemën e mashtrimit në Shqipëri, duke ja lënë fajin tërësisht partnerit shqiptar Sun Petroleum. Zëvendëspresidenti i grupit Gulf, Frank Rutten deklaroi se kompania ka përfunduar marrëdhënien me partnerin shqiptar Sun Petroleum, për shkak se kjo e fundit nuk i ka paguar tarifën e licencimit.
“Kjo është një situatë për të ardhur keq. Por duhet të kuptohet që Sun Petroleum është një kompani e pavarur, të cilës ne i kishim dhënë licencën për të tregtuar karburant nën markën Gulf ashtu sic kemi bërë me shumë kompani të tjera nëpër botë”, deklaron Frank Rutten, Zv/President i Gulf Oil International.
Sipas Rutten, e gjitha skema e mashtrimit me kuponat e parapaguar që ju shitën konsumatorëve shqiptar është bërë pa dijeninë dhe pa miratimin e Gulf nga partneri shqiptar Sun Petroleum.
“Sun Petroleum ka shitur një numër të konsiderueshëm kuponash të parapaguar, të cilët tani konsumatorët nuk mund t’i konvertojnë në karburant. Ky është një veprim i cili nuk ka marrë asnjë autorizim paraprak nga Gulf”, thotë Frank Rutten.
Prokuroria e Tiranë ka vënë nën hetim partnerin shqiptar të Gulf, kompaninë sun petroleum për mashtrim të qëllimshëm me shitjen e kuponave. Organi i akuzës ka shpallur në kërkim menaxherin shqiptar të Gulf, Alban Alikon, administratorin Irakli Svanidze dhe menaxherin e shitjeve për Tiranën.
Sipas prokurorisë, pasi shiti kupona të parapaguar tek qytetarët sun petroleum mbylli aktivitetin duke mos u dhënë atyre mundësi që të merrnin karburanit për të cilin kishibn paguar. Dëmi ndaj qytetarëve llogaritet në 1.5 milionë euro, ndërkohë që sun petroleum ka dhe 3.5 milionë euro të tjera detyrime ndaj shtetit dhe kompanive furnitore.
Top Channel