Vjedhja e pompave të ujit dhe transformatorit në fshatin Zhabjak të njësisë administrative Gosë të bashkisë Rrogozhinë, ka lënë pa ujitje të gjithë zonën.
Vjedhja ndodhi 10 vite më parë dhe ende nuk është gjetur zgjidhje. Vullnetarë të huaj, erdhën dhe dhanë donacione për të ndërtuar këtë stacion pompash, që nuk e pati jetën e gjatë. Hajduti nuk mori me vete vetëm hekurat e pompës, por edhe pasurinë e fermerëve të zonës, të cilët nuk mund të mbjellin asgjë përveç grurit me shpresën se uji do t’ju vijë nga qielli.
“Para 15 vjetësh janë vjedhur pompat dhe transformatori dhe linjave elektrike u kanë këputur telat”, shprehet një banor.
Toka ka nisur të çahet në sipërfaqen më të madhe nga thatësira e theksuar. Kanalet që përshkojnë këto toka janë pa ujë, aty gjen vetëm bimësi dhe kafshë të ngordhura. Janë rreth 250 hektarë toke që nga dita në ditë po lihet djerrë si pasojë e këtyre vështirësive. Fermerët shprehen se i paguajnë të gjitha detyrimet, por asnjë shërbim nuk kemi marrë.
“Të gjitha tokat rrinë kot, ne nuk prodhojmë asgjë, rrimë kotë. Vetëm me sforsot tona. Kryetari i bashkisë na kishte premtuar se do të sillte pompat, por nuk bëri asgjë”, thotë banorët.
Mungesa e ujit në këtë zonë ka shtuar edhe varfërinë. Tokat po braktisen dhe në shumë zona rriten vetëm gjemba.
Top Channel