Në tregun agro-ushqimor të Tiranës, i vetmi i këtij lloji në kryeqytet, sa ka rënë fluksi i mëngjesit. Klodian Bodlli është një nga tregtarët e vjetër. Paguan qira për 60 metra/katrorë.
“720 mijë lekë për 60 metra katrorë, që i bie 12 mijë lekë metri”, thotë ai.
Ai ka edhe një përgjigje për pyetjen se përse nuk ka një treg tjetër të ngjashëm në Tiranë.
“Atë e di Kryeministri që na ka marrë me 600 forca policie dhe forca RENEA që na sollën këtu me maska, me kapuça. Sa fitoi zgjedhjet ne na sollën me dhunë këtu. Prasi bëhet në Kashar, këtu na kanë sjellë edhe ne”, deklaron ai.
Po pse kanë gjithë këtë pakënaqësi.
“Po nuk ka punë! Ne jemi në tavë këtu. Mua më kontrollon Rama, Basha, Berisha, se i marrin lekët e veta ata këtu. Ne jemi ushtarë që punojmë për këta. Pikë muhabeti!”, thotë Klodiani.
Klodiani tregon se nga e marrin mallin.
“Mallin e marrim nga Korça, Saranda, Shkodra nga vendi dhe Europa. Pataten e kemi marrë me 100-130 lekë dhe e shesim me 170- 200 lekë”, shton ai.
Ka 25 vjet që e bën këtë punë.
“Punojmë si kinezë! Çohemi në 1 dhe punojmë 17 orë”, ankohet Klodiani.
Kur e pyesim si ja bejne me faturat tatimore na pergjigjet: “Pa faturë na e japin mallin, pa faturë e japim edhe ne”.
Tregtari bën një krahasim mes ish-Tregut tek Uzina Dinamo dhe këtij në autostradë.
“Leku ishte atje. Nuk kemi nevojë për luks, por për bukën e fëmijëve, por këtu trashim shtetin me lekë”, vijon ai.
Tregtarë të tjerë refuzojnë të flasin para kameras, ndërsa njëri tregon se si ka ndryshuar çmimi i qirasë në tre vite.
“Ka 3 vjet që është bërë 12 mijë lekë! Ka qenë 8 mijë lekë për metër/katror”, thotë ai.
Tregton kryesisht prodhime të importuara nga jashtë.
“Hudhër dhe kikirikë, që të dyja nga Kina”, shton ai.
Top Channel