1.529 persona në Egjipt, përfshirë edhe ish-futbollistin e kombëtares Aboutarika, për të tretën herë janë futur në “listën e terrorizmit”.
Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare, Gjykata Penale e Kajros ka futur në listën e terrorizmit për pesë vite 1.529 persona, në mesin e të cilëve ndodhet edhe Aboutarika.
Personat e futur në listën e terroristëve akuzohen për “ndryshim të regjimit duke përdorur forcë dhe sulm ndaj forcave të armatosura, policisë dhe institucioneve gjyqësore”.
Sipas ligjit të ri i cili lejon konfiskimin e mallrave të terroristëve dhe organizatave terroriste, personat në fjalë, në vend të Gjykatës së Apelit, vendimin mund ta ankimojnë në Gjykatën e Emergjencave.
Gjykata e njëjtë në muajin janar dhe qershor të vitit të kaluar kishte futur këta persona në listë, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe Aboutarika dhe liderët e Vëllazërisë Muslimane, mirëpo vendimi ishte anuluar nga Gjykata e Apelit.
Sipas ligjeve të Egjiptit, personave të cilët futen në listën e terroristëve u ndalohet hyrja apo dalja nga shteti.
Tre vite më parë ishte konfiskuar prona e futbollistit Muhammed Aboutarika, i cili ndodhej në mesin e futbollistëve më të popullarizuar të periudhave të fundit të botës arabe, me pretendimin se ai “ka financuar disa akte terroriste”.
Ligji për konfiskimin e mallrave të terroristëve dhe organizatave terroriste në Egjipt kishte hyrë në fuqi më 22 prill, duke u publikuar në Gazetën Zyrtare.
Top Channel