Janë mbi 60 familje të cilat nuk kishin zgjedhur të jetonin pranë mbetjeve, pasi kur ata ndërtuan shtëpitë në këtë zonë periferike në Durrës, mbetjet ishin larg.
Por, mungesa e menaxhimit të tyre ndër vite ka bërë që sipërfaqja e vendgrumbullimit të zgjerohet dhe pirgjet me mbeturina të jenë vetëm pak metra larg.
Kjo situatë ua ka vështirësuar jetën, pasi fëmijët u sëmuren shpesh dhe tanimë e dinë se rreziku që i kanos nga ndotja është edhe më i madh dhe jo vetëm për ata, por për të gjithë qytetarët e Durrësit.
“Më keq është bërë tani. Kemi ardhur për një jetë më të mirë, por mendoj të iki në Tropojë, të kthehem prap mbrapsht. Kemi pas probleme me fëmijët, kemi vuajtur nëpër spitale. Kemi probleme me ajrin, me uji. Gjithçka është e ndotur”, thonë banorët e zonës.
Ekspertë të mjedisit thonë se duhet një ndërhyrje urgjente.
“Dekompozimi i mbetjeve në qiell të hapur çliron disa gazra në ajër, që janë të dëmshme në rrugët e frymëmarrjes. Në rastet e djegies ndikimi në mjedis është shumë më i madh. Qyteti i Durrësit është shumë afër dhe erërat e çojnë në atë drejtim. Në bazë të një vendimi të 2012, të gjitha njësitë vendore duhet të kishin hartuar një plan menaxhimi të vend-depozitimeve të mbetjeve. Këtu nuk vërhet asnjë masë për të lehtësuar situatën, siç mund të jetë rrethimi për të mos patur akses persona të ndryshëm dhe të patrajnuar, pa u pajisur me mjetet përkatëse për të kryer një seleksionim primitiv për të mbijetuar”, thotë eksperti i mjedisit, Laert Shehu.
Ndotja që shkakton ky vendgrumbullim përbën rrezik jo vetëm për ata që janë të vetëpunësuar aty, për ata që jetojnë pranë, por për të gjithë qytetarët e Durrësit, madje ekspertët shkojnë edhe më tej kur shikon që këtu kullosin bagëtitë.
“Situata është e rëndë dhe rrezikojnë jo vetëm banorët këtu, por edhe banorët në gjithë territorin e Shqipërisë. Këtu ka bagëti që konsumojnë këto mbetje dhe tregtohen në gjithë vendin”, thotë aktivisti Lavdosh Ferruni.
Përveç vendgrumbullimit të mbetjeve, fare pranë banesave ndodhen edhe disa kanale me ujë të papastruar asnjëherë nga Bashkia e Durrësit.
“Këtu ka lloj-lloj mbetjesh plastike, ujëra të acidifikuar me helme, që nuk ka det t’i tresë”, deklaron Sazan Guri.
Ekspertët sugjerojnë që të fillojë sa më shpejt ricklimi i mbetjeve, madje të gjithë baret dhe restorantet që mbipopullohen gjatë sezonit turistik të bëjnë ndarje të mbeturinave organike dhe të tjera dhe më pas Bashkia t’ua marrë dhe t’i dërgojë për trajtim në Elbasan.
Top Channel