Shkollat si qendra komunitare ka nisur zbatimin si projekt, dhe për kryebashkiakun Erion Veliaj sporti është investimi më i mirë për fëmijët. Palestrat e shkollave do të jenë të hapura për aktivitete sportive, tha ai.
Veliaj iu bashkua një ndeshje basketbolli mes të rinjve në palestrën e Shkollës së Kuqe, e rikonstruktuar nga Bashkia e Tiranës, ku u bëri thirrje nxënësve që t’i kthejnë sytë nga sporti.
“Ky është një nga projektet që unë e kam më për zemër, hapja e palestrave të Tiranës pas mbarimit të mësimit për aktivitete sportive. Fillojmë sot me basketbollin, me hendbollin, volejbollin, futbollin, xhudon, që të gjithë fëmijët e Tiranës të kenë një hapësirë të sigurtë, të mbrojtur, brenda territorit të shkollës, ku jo vetëm të argëtohen, por të bëjnë miq të mirë që zgjasin sa një jetë”, deklaroi Veliaj.
Ai u bëri thirrje të gjithë të rinjve që të merren me sport, jo thjesht për të pasur një trup të shëndetshëm. Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e prindërve që të ndihmojnë në masivizimin e sportit tek moshat e reja dhe largimin e tyre nga jeta pasive. “Për të gjithë prindërit që ende nuk e kanë marrë vesh që bashkia ka hapur 62 palestra në gjithë qytetin, ju bëj një ftesë publike: Ngrijini fëmijët nga kolltuku, nga kafenetë, dhe regjistrojini në kurse sportive, në këto 62 hapësira, sepse është investimi më i mirë që një prind mund të bëjë për fëmijën e vet”, tha ai.
Sipas tij, një nga problemet kryesore që hasen tek brezi i ri është obeziteti dhe jeta sedentare. “Nëse vazhdojmë kështu, kjo gjeneratë fëmijësh do të jenë klientë spitalesh nesër për obezitet dhe diabet. Nëse fillojmë ta korrektojmë sot dhe prindërit e Tiranës nxitojnë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në kurse sportive, do kemi shpëtuar gjeneratën e ardhshme të qytetit tonë”, tha Veliaj.
Top Channel