S’ka ujë për të mbjellat; Fermerët në Rrogozhinë: Po na thahen 200 hektarë tokë

26/04/2018 15:13

Arsyeja se perse në treg ka domate italiane dhe jo prodhimet e serave apo fushave të Myzeqesë, fermerët e shpjegojnë me mungesën e vaditjes. Në Lekaj të Rrogozhinës, 200 hektarë tokë nuk kanë ujë, sepse kanali kullues nuk është pastruar në kohë. Sipas fermerëve bordi i kullimit e nisi pastrimin e tij këto ditë ndërsa është tepër vonë.

Të paktën 200 hektarë tokë me të mbjella që po thahen në Lekaj të Rrogozhinës nga mungesa e ujit kanë alarmuar fermerët. Janë mbi 110 hektarë perime të cilat duhet të vaditen këto ditë.

Fermerët kanë përdorur teknologjinë e vaditjes me pika sipas udhëzimit të qeverisë, por ujë në kanale nuk ka. Ata thonë se kanë trokitur në çdo institucion për të lëshuar ujin, por deri tani nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.

“Tani që është koha për të lëshuar ujin qeveria po bën pastrime sipërfaqësore sa për t’u dukur. Jemi furnizuesit kryesor të tregjeve të Kavajës dhe Durrësit, por në këto kushte jemi të falimentuar,kjo është një nga arsyet pse tokat po ngelin djerrë dhe djemtë tanë po vjelin domatet e Fogias në Itali” shprehen fermerët.

Kanali që furnizon tokat e kësaj zone është i linjës Peqin-Kavajë. Në shumë segmente ky kanal është i papastruar duke e vështirësuar rrjedhjen e ujit.

Bordi i kullimit ka filluar ditët e fundit një pastrim, por koha në të cilën po bëhet është tepër e vonuar pasi fermerët thonë se nëse nuk i shkon ujë për 2 ditë prodhimet e tyre shkatërrohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA