Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës u braktis sot nga këshilltarët opozitarë (PD dhe LSI) pasi, sipas tyre, 6 individë në sallë janë me mandate të bëra nul nga Gjykata e Tiranës.
“Mbajmë një marrëdhënie të kushtëzuar me Këshillin Bashkiak të Tiranës. 6 individë në sallë janë me mandate të bëra nul nga Gjykata e Tiranës. Prania e këtyre individëve hedh në erë legjitimitetin e këtij këshilli”, u shpreh Kreshnik Çollaku për mediat pas daljes nga salla.
“Mafia e naftës dhe ndërtimit kërkon të pastrojë paratë në qendër të qytetit. Një vendim do t’i hapë rrugën shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit aty të disa kullave. Ne dolëm jashtë për të mbështetur qytetarët dhe qytetin”, shtoi Çollaku.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës u miratua ndihma ekonomike për 3 545 familje në kryeqytet, ndërmjet të cilëve personat me statusin e jetimit, viktima të dhunës në familje, individë viktima të trafikimit, apo edhe familjet me shumë fëmijë.
U miratua edhe kompensimi i energjisë elektrike për kategoritë në nevojë.
Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe fondin për pagesën që u jepet personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve të punës në territorin e njësive administrative nën administrimin e Bashkisë Tiranë.
Top Channel