Të jetosh prej mëllagës. Mbledhësit e bimës në Lushnjë tregojnë punën e vështirë

25/04/2018 12:18

Prej 25 vitesh, Pajtim dhe Festime Jonuzi jetojnë duke mbledhur bimë medicinale në fshatin Grabjan të Divjakës.

“Punojmë me mëllagë dhe lulëkuq. Nuk kemi me çfarë të merremi tjetër. 5 lekë, 10 lekë… sa të marrim”, thotë Pajtimi.

Çifti Jonuzi shëtit në çdo fshat të zonës për të mbledhur një thes me gjethe mëllage, që përdoret në mjekësinë popullore e që në fund të ditës u sjell vetëm 1 mijë lekë fitim.

“Kërkesë ka, por ka shumë punëtorë si ne. 4 mijë lekë ia hedhim benzinë motorit, që ndonjëherë na lë edhe rrugës”, shprehen bashkëshortët.

Vështirësitë nuk mungojnë. Shpesh, pengesë bëhen edhe pronarët e tokave ku rritet bima e egër. Festimja thotë se edhe kjo mënyrë jetese po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi ka mungesë të theksuar të mëllagës. Por, me këto para’ sigurojnë mbijetesën dhe mbajnë dy djemtë e tyre të papunë, të cilët presin vetëm të emigrojnë.

Ndaj, ata do të vazhdojnë të dalin fushave sa të kenë mundësi, pasi në kushte të vështira ekonomike dhe në mungesë të një pune, kjo mbetet e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA