Rekord donacionesh për lobin e fuqishëm pro armëve në SHBA

25/04/2018 11:31

Pavarësisht indinjatës mbarëkombëtare që shkaktoi vrasja e 17 personave në një shkollë të Parklandit në Florida, muajin e kaluar, Shoqata Kombëtare amerikane e Armëve, “NRA” ka mbledhur donacionet më të mëdha të 15 viteve të fundit.

Fondi politik i lobit të fuqishëm të armëve arriti të grumbulloje në muajin mars 2.4 milionë dollarë, siç tregojnë të dhënat e depozituara pranë komisioneve federale zgjedhore “FEC”.

Totali i këtyre donacioneve shënon shumën më të madhe të mbledhur ndonjëherë brenda një muaji, që prej qershorit të vitit 2003. Pjesa dërrmuese e tyre, që është 1.5 milionë dollarë më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, erdhi nga donatorë që dhanë më pak se 200 dollarë.

Kjo nuk është hera e parë që vrasjet masive pasohen nga një bum dhurimesh. “NRA”-ja mblodhi 1.1 milionë dollarë janarin e vitit 2013 dhe 1.5 milionë dollarë shkurtin e po atij viti, pak pasi kishte ndodhur tragjedia e shkollës fillore të “Sandy Hook”, në Connecticut.

Organizatat e kontrollit të armëve, nga ana tjetër, nuk kanë parë fitime të njëjta. Grupi jofitimprurës “Çdo qytet për sigurinë e armëve” mblodhi në muajin mars vetëm 13.580 dollarë për fondin e tij politik, ndërsa lëvizja “Marshimi për jetët tona”, e krijuar pas të shtënave në Parkland, arriti të grumbullojë 3.5 milionë dollarë që nga shkurti, megjithatë më 24 mars gjysma e këtyre parave shkuan në Uashington.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA