Në laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare prej mëse dy muaj nuk kryhen të gjitha analizat laboratorike pasi mungojnë reagentët.
Pacientët janë të detyruar t’i bëjnë ato në laboratorë privatë. “EKO-n do e bësh tani, ndërsa analizat e tiroideve nuk kryhen”, i thotë laborantja një pacienti.
“Gjysmat i kam bërë në shtet e gjysmat në privat. Kështu më ka thënë doktoresha”, shprehet një paciente.
“Disa i kam bërë. Ato që mungojnë më thanë hajde pas dy ditësh”, shprehet një qytetar.
Shefja e shërbimit të laboratorit biokimik – klinik thotë se vetëm 10 % e analizave nuk kryhen, ndërsa për 90% të tjera nuk ka pasur mungesa.
“Të gjitha analizat e rutinës bëhen në laborator, mungojnë analizat për disa hormone që kanë të bëjnë me tiroiden. E rëndësishme është të na vijë furnizimi sa më shpejt”, shprehet Anyla Bulo – shefe shërbimit të laboratorit biokimik-klinik.
Burime nga drejtoria e QSUT sqarojnë se reagentët që mungojnë do të vijnë këtë javë.
Tenderi ka përfunduar dhe pritet të respketohen afatet ligjore që mënyra që kompania fitues të furnizojë me reagentë laboratorin e QSUT.
Top Channel