Pasuria “djeg” gjyqtaren Kushtetuese, KPK: Nuk justifikon një apartament

23/04/2018 11:26

Duket se gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj do të jetë “viktima” e radhës e sitës së Vettingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi shqyrtoi deklaratat e pasurisë së saj, thotë se nga hetimi administrativ nuk justifikohet origjina e të ardhurave për një shtëpi 101 metra katrorë në Tiranë.

Gjithashtu, për KPK deklarimet e të ardhurave për vitin 2003 dhe 2004 janë të pasakta dhe mungojnë 4 milionë lekë.

Edhe në shqyrtimin profesional, KPK përmend denoncimin e një shtetasi me inicialet B.C., i cili është dënuar nga babai i Altina Xhoxhajt, gjithashtu gjyqtar, por në Gjykatën e Apelit. Ky shtetas është ankuar në Gjykatën Kushtetuese, ku çështja e tij është shqyrtuar pikërisht nga Altina Xhoxhaj.

KPK ka gjetur gjithashtu edhe zbardhje me vonesë të arsyetimeve të vendimeve, si dhe raste të zgjatjes së afateve për dosje në gjykim.

Altina Xhoxhaj është gjyqtarja e tretë nga Gjykata Kushtetuese që i nënshtrohet sitës së vettingut.

Trupa gjykuese për Xhoxhajn kryesohet nga Brunilda Bekteshi dhe anëtar Etleda Çiftja dhe Genta Tafa Bungo.

Fatos Lulo ka qenë gjyqtari i parë që është rivlerësuar nga KPK, por që u shkarkua për shkak të mos justifikimit të pasurive.

Vitore Tusha arriti të kalojë vettingun, duke dalë një figurë e pastër me deklarim të rregullt të pasurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA