Kreu i shtetit Ilir Meta ka dekoruar senatorin Pier Fernando Casili me dekoratën e lartë “Nënë Tereza”.
Në ceremoninë e organizuar në Presidencë i pranishëm edhe ambasadori i Italisë, Cutillo, kreu i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha e deputetë.
“Mirënjohjen e sinqertë këtij politikani të shquar italian dhe evropian. Casini ka mbështetur fuqishëm zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj euroatlantik. Mirënjohja jonë është veçanërisht e thellë për këtë politikan të moderuar simbol i dialogut, shembull i tolerancës e civilizimit. Casini përfaqësues europianist i bindur në vlerat e lirisë, drejtësisë e solidaritetit. Senatori Casini është një prej personaliteteve më të shquara të politikës italiane. Casini ka ndikuar dukshëm e vazhdimisht në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”, është shprehur Meta.
Ai tha se senatori Casini ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare e forcimit të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë. “Casini ka qenë mbështetës aktiv i angazhimit të Italisë në të gjitha operacionet humanitare në Shqipëri, avokat për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe rajonin dhe një nga mbështetësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit tonë”, vijoi ai.
Pas viteve 90’, tha Meta, Italia mirëpriti dhjetëra mijëra emigrantë të dëshpëruar, ndërsa sot atje janë të mirë-integruar mbi 500 mijë shqiptarë të cilët japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Top Channel