Furgoni përplas këmbësorët, 9 të vdekur në Toronto

23/04/2018 22:50

Më dhjetëra këmbësorë janë përplasur nga një furgon që sipas dëshmitarëve ishte ngjitur mbi trotuar. Mjeti ishte larguar nga vendngjarja pas incidentit në një zonë të shumë-frekuentuar në veri të qytetit kanadez të Torontos.

Policia e lokalizoi furgonin disa blloqe më larg dhe shoferi u arrestua. Deri tani janë konfirmuar 9 të vdekur, ndërsa 16 të tjerë të plagosur. Policia i ka kërkuar publikut të evitojë zonën.

Incidenti ndodhi në Yonge Street dhe Finch Avenue në orën 13.30 sipas orës lokale.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin policë të armatosur dhe skuadrat e emergjencave që ndihmonin njerëzit e lënduar. Një qese portokalli që dukej se mbulonte një trup, shihej po ashtu në një prej ambulancave.

Nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm apo për një incident. Mediat kanadeze shkruajnë se furgoni ishte i marrë me qira dhe citojnë dëshmitarë që tregojnë se ai ishte ngjitur qëllimisht mbi trotuar duke ndjekur këmbësorët.

Këto ditë, pikërisht në Toronto zhvillohet takimi i ministrave të jashtëm të G7-ës, por policia kanadeze thotë se për momentin, nuk përjashtohet asnjë pistë. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha ndërkohë para gazetarëve se po ndiqte nga afër situatën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA