Prodhimi i mbetjeve të ngurta në Shqipëri është rritur me ritme të frikshme gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare nga instituti i statistikave tregojnë se për periudhën 2013-2016 sasia e mbetjeve të ngurta urbane u dyfishua duke arritur ne 2.2 milionë tonë në vit.
Rritja e vrullshme e mbetjeve që gjenerohen në vend ka përkeqësuar treguesit e menaxhimit të tyre duke bërë që pjesa e mbetjeve të pamenaxhuara të rritet me mbi 4.5 herë në vetëm tre vjet.
Sipas INSTAT, në vitin 2016 nga 2.2 milionë tonë mbetje të gjeneruara u menaxhuan vetëm 1.3 milionë tonë ose 58.8 për qind. Kjo do të thotë se afërsisht 1 milionë tonë mbetje të ngurta urbane në vit nuk menaxhohen por shpërndahen dhe hidhen pa kriter duke u shndërruar në një kërcënim serioz për ambientin.
Por si trajtohet pjesa e mbetjeve urbane që menaxhohen? Sipas INSTAT, pjesa dërrmuese depozitohen në landfille. Në vitin 2016, rreth 78 % e sasisë totale të mbetjeve të menaxhuara ose gati 1 milionë tonë u depozituan në landfille. Metoda e dytë e menaxhimit është ajo e riciklimit. Sipas INSTAT, në vitin 2016 u ricikluan 17.2 për qind e mbetjeve të menaxhuara, ndërkohë që pjesa tjetër janë djegur për energji ose me qëllim eliminimi.
Dy vjet më parë qeveria tentoi të rikthejë importin e mbetjeve në Shqipëri. Por siç tregojnë të dhënat zyrtare aktualisht Shqipëria menaxhon 58.8 për qind të mbetjeve të ngurta që gjeneron duke lënë të patrajtuara mbi 1 milionë tonë plehra që shpërndahen nëpër ambient.
Top Channel