Kanali burim infeksioni në Spitallë, ankesat në vesh të shurdhër

22/04/2018 15:39

Lënia në mëshirë të fatit, të papastruar dhe të pamirëmbajtur, e ka kthyer kanalin e ujërave të larta të Spitallës në një kërcënim real për të gjithë zonën nga kalon.

Ankesat e komunitetit dhe veçanërisht përfaqësisë së shkollës 9-vjeçare “Demokracia” pranë autoriteteve vendore kanë rënë në vesh të shurdhër, ndërsa kanali i mbushur me plehra, ujë të ndenjur dhe i parrethuar kanos me pasiguri për shëndetin e jetën. Në kohë reshjesh kanali shkakton përmbytje rrugësh, biznesesh e banesash, ndërsa me ngrohjen e motit kthehet në një vatër masive infeksioni që kutërbon.

Drejtuesja e senatit të shkollës shprehet se mungesa e fondeve, që kanë marrë si përgjigje nga bashkia, është vetëm një pretekst, ndaj duhet më shumë angazhim qytetar për të mirëorientuar buxhetin bashkiak dhe zgjidhur këtë problem.

“Pas disa vitesh vijojnë të njëjtat përgjigje nga bashkia dhe prefekti. Ditët e fundit, reshjet kanë bërë që kanali të dalë nga shtrati dhe të nxjerrë në rrugë plehrat”, tha senatorja e shkollës.

Drejtori i shkollës e konsideron një gangrenë për të gjithë zonën, që nuk po merr zgjidhje prej shumë vitesh.

“Shkresat mesa duket nuk po vlejnë më. Zëri i një komuniteti si nxënësit, sërish nuk po vlen. Moti po ngrohet dhe burimi i infeksionit po rritet, ndërsa ne nuk dimë si ta gjejmë zgjidhjen”, tha Thoma Shtëmbari, drejtor i shkollës “Demokracia”

Edhe banorët janë të shqetësuar për gjendjen e kanalit që është lënë jashtë vëmendjes së ndërmarrjeve që e kanë në inventar dhe janë përgjegjës për mirëmbajtjen e tij.

Banorët kërkojnë një pastrim paraprak dhe rrethim të kanalit gjë që do të shmangte ndotjen e mëtejshme të tij, si dhe rrezikun për rënien e fëmijëve dhe mjeteve në të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA