U thirr me shpresën se ai i 28 prillit do të ishte Kuvendi i bashkimit, por zemërimi me Lulzim Bashën vazhdon. Edhe pse disa ndryshime të minutës së fundit përfshinë ish-kryetaren e Parlamentit Jozefina Topallin në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, asgjë nuk ka ndryshuar tek qëndrimi i saj ndaj Lulzim Bashës.

Ajo e quajti të premte të zezë ditën e Këshilli Kombëtar, i cili u mblodh për herë të parë pas afro 3 vitesh e gjysmë nga konstituimi.

“Thelbi i mbledhjes dhe i draftit “Basha” ishte mbrojtja e karriges së Lulit. Që dje (të premten), me letra Luli do jetë i përjetshëm. I dha vetes të gjitha pushtetet, duke vrarë edhe me letra demokracine e brendshme. Jozefina nuk ka ikë kurrë nga bindjet e parimet e saj. As ka nevojë për karrige si ai. Për karrigen e vet ai e ktheu PD-në si një karrige me rrota, që herë e shtyn me Ramën, herë me LSI-në, por kurrë me demokratët. Jozefina nuk pajtohet kurrë me Lulzim Bashën, i cili ditën flet për oligarkë e ndërkohe ndan interesa të mëdha me ta: Eshte më mirë që Luli të dorëhiqet e t’i japë mundësi PD-së të ngrihet për t’i dalë zot vendit”, shkruan Jozefina Topalli.

Topalli thotë se PD duhet të ribëhet dhe për këtë duhet fillim i ri, bashkim e rithemelim, ndërsa Astrit Patozi bëri një krahasim ironik.

“Po shoh që po e krahasojnë këtë statutin e ri të Partisë Demokratike me ndryshimet në Kushtetutën kineze dhe po e trajtojnë sikur Lulzim Basha po ndjek modelin e Presidentit te Kinës, Xi Jinping, i cili, që prej Kongresit të fundit, mund të qëndrojë përjetë në atë post. Më duket pasaktësi e madhe, përveçse një fyerje e rëndë për popullin vëlla kinez. Sepse në Pekin i kanë dhënë mundësi për të qëndruar pa kufizim në pushtet fituesit, kurse në partinë e Lulit është shenjtëruar “fitorja e përjetshme e humbësit”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Majlinda Bregu reagoi të premten Këshilli Kombëtar po fillonte, “E shkuara u fshi! Fshirja u harrua! Gënjeshtra u bë e vërteta!” citoi ajo “Vitin 1984” të George Orwell.

Por kjo nuk është gjendja e Lulzim Bashës për të cilin nuk do të ketë kufizim mandati apo kusht për dorëheqje nëse humb zgjedhjet. Kyetari demokrat, beson se parimet e tjera në statut janë aq thelbësore sa tashmë mund të flitet për epokën e tij në PD.

“Janë ndryshime që e ndajnë historinë e PD në dy pjesë”, thotë ai.

Risi kryesore vlerëson nisjen nga anëtarësia deri tek këshilli kombëtar të procesit të përzgjedhjes së kandidaturave elektorale. Basha deklaron se statuti do të garantojë garë të barabartë në PD.
“Përqafimi i këtyre standardeve do të imponojë një punë të madhe dhe jo të lehtë, por jam i bindur që është rruga e duhur për Shqipërinë në radhë të parë dhe natyrisht është edhe mishërimi i aspiratave, shpresave dhe kërkesave të demokratëve”, deklaroi Lulzim Basha.

Për Bashën statuti që pret votën e Kuvendit Kombëtar është parathënia e qeverisjes së mirë të shqiptarëve nga Partia Demokratike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA