Një banesë është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune në lagjen “Isa Boletini” të qytetit të Vlorës, si pasojë e shpërthimit të dy bombolave të gazit.
Për fat të mirë, tragjedia është shmangur, pasi në momentin e shpërthimit të bombolave, në banesë nuk ka pasur njerëz. Nga ngjarja janë shënuar vetëm dëme materiale, në banesën e ndodhur në katin e dytë të një pallati.
Ishin banorë të zonës, që sapo vunë re tymin që dilte nga ndërtesa njoftuan forcat zjarrfikëse. Ndërhyrja e tyre bëri që flakët në banesë të shuheshin në kohë, duke shmangur një ngjarje më të rëndë, pasi ato rrezikonin edhe banorë të tjerë të pallatit, sikurse edhe kalimtarë të rastit në zonë.
Në vendngjarje ka shkuar edhe një grup hetimor, që ka nisur punën për shkaqet e zjarrit.
Top Channel