Pjesë e “revolucioni të gjelbër” në kryeqytet u bë edhe Kisha Katolike. Kryebashkiaku Tiranës, Erion Veliaj dhe arkipeshkvi i Arkidioqezës Metropolitane të Tiranë-Durrësit, Imzot George Frendo morën pjesë në mbjelljen e pemëve, ndërsa vlerësuan rëndësinë që ka ajo në përmirësimin e cilësisë së klimës dhe ajrit.
Kryetari Veliaj falënderoi klerin katolik, jo vetëm për pemët që mbolli, por edhe për gjithçka kontribuon që Tirana të jetë më e mirë dhe më solidare.
“Unë jam shumë krenar sot për Kishën Katolike, për Imzot Frendon, për shërbesën e Kishës Katolike në qytetin tonë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, e më vjen mirë që në këtë fushatë të gjithë aktivistët e Kishës Katolike, qoftë ata që shërbejnë në shërbesat fetare, apo ata që janë në shërbesat sociale, na janë përgjigjur pozitivisht për këtë fushatë të mbjelljeve. Më vjen mirë që me Monsinjor Frendon, ne kemi filluar një traditë ku në vend të mbledhjeve protokollare, ato pak mundësi që janë shkojnë në ndihmë të të varfërve, të atyre që janë persona me aftësi të kufizuar, të komunitetit rom dhe besoj që kemi zbatuar atë këshillë të urtë, ku më i pari ndër ne është ai që shërben më shumë, jo ai që flet më shumë si komandant”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Arkipeshkvi i Arkidioqezës Metropolitane të Tiranë-Durrësit, Imzot George Frendo vlerësoi angazhimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ta bërë kryeqytetin edhe më të bukur.
“Unë dëshiroj të përfitoj nga rasti për t’iu falënderuar për mbështetjen tuaj. Kur kemi organizuar darkë për të varfrit dhe për personat me aftësi të kufizuar, unë kam pranuar apelin që keni bërë për një qytet plot me gjelbërim, sepse gjelbërimi i qytetit është shenjë që është një qytet i gjallë, i bukur. Papa Françesku, në fakt në veprën e tij mbi mjedisin ka bërë apel që të ruajmë bukurinë e krijimit, por edhe Papa Gjon Pali i Dytë, edhe ai ka bërë shumë herë apel që të ruajmë bukurinë e krijimit dhe t’u lëmë pasardhësve tanë një botë më të bukur. Sigurisht, me angazhimin tuaj për një Tiranë më të bukur do t’i dhuroni brezit të ardhshëm një qytet më të bukur”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot George Frendo.
Top Channel