Kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve, shkaktuar nga interesat financiare dhe politike, si dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë ishin – sipas Departamentit amerikan të Shtetit, – problemet kryesore me të drejtat e njeriut në vitin 2017 në Shqipëri.
Në raportin e përvitshëm për të Drejtat e Njeriut thuhet se, mosndëshkueshmëria mbeti një problem serioz.
“Ndjekja penale dhe veçanërisht gjetja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale”, thuhet në raport.
Departamenti amerikan i Shtetit thotë gjithashtu se, gjatë vitit 2017 “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes” në Shqipëri. Ai nënvizon po ashtu se politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese vunë në rrezik pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve, e se Ministria e Drejtësisë nuk mori masat e duhura disiplinore ndaj gjykatësve.
Në raport thuhet se, në përgjithësi, autoritetet mbajtën kontroll efektiv mbi Policinë, Gardën e Republikës, Forcat e Armatosura dhe Shërbimin e Zbulimit, “megjithëse zyrtarët herë pas here përdorën burime shtetërore për përfitime personale dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë kryen shkelje”.
DASH kritikon edhe policinë, që sipas tij, jo gjithmonë e zbatoi ligjin në mënyrë të balancuar. Lidhjet personale, ato politike ose kriminale, infrastruktura e dobët, mungesa e pajisjeve ose menaxhimi i papërshtatshëm kontribuan në korrupsionin e vazhdueshëm dhe sjellje joprofesionale.
Për sa i takon lirisë së medias, DASH vlerëson se ka pasur njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikim.
“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi të gjerë pikëpamjesh, megjithëse pati disa përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe indirekt politik e ekonomik ndaj saj, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që punonin për histori investigative për krimin dhe korrupsionin”.
Po ashtu, “presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve e ndrydhën medien e pavarur të shkruar” dhe problem mbeti autocensura.
Top Channel