Qendra Shëndetësore, drejt shembjes. 1.000 banorët e Vranishtit, pa mjek

21/04/2018 12:22

Rreth 1.000 banorë të fshatit Vranisht në Korçë marrin shërbimet mjekësore në një godinë të degraduar, e cila rrezikon që të shembet.

Aktualisht, vetëm njëra nga dhomat në katin e parë të kësaj ndërtese është funksionale, ndërkohë që pjesa tjetër e ndërtesës është dukshëm gati për t’u shembur.

Ata kanë vite që kanë kërkuar ndërhyrjen, por deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Janë 3 fshatra këtu, por Vranishti ka këtë ambulancën këtu. Është turp dhe krim i madh që të lihet në këtë gjendje ky fshat”, thotë një banor.

“Doktor s’kemi fare, një sëmundje të kemi ne apo një fëmijë, duhet të shkojmë në Korçë”, thotë një tjetër banore.

Prej vitit 2004, instancat përkatëse të zonës së Devollit kanë kërkuar rikonstruksionin e kësaj godine, e cila duhej të shërbente si qendër shëndetësore. Por, amortizimi sa vjen e rëndohet, duke e bërë atë potencialisht të rrezikshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA