Pesimizimi u thellua tek kritikët mbi të ardhmen e Partisë Demokratike, por tek Lulzim Basha jo. Madje, kryetari demokrat, për të cilin nuk ka kufizim mandati apo kusht dorëheqjeje nëse humb zgjedhjet, beson se parimet e përfshira në statut janë aq thelbësore sa tashmë mund të flitet për epokën e tij në PD.
“Janë ndryshime që e ndajnë historinë e Partisë Demokratike në dy pjesë”, tha Basha.
Risi kryesore vlerëson nisjen nga anëtarësia deri tek Këshilli Kombëtar të procesit të përzgjedhjes së kandidaturave elektorale. Basha deklaron se statuti do të garantojë garë të barabartë në Partinë Demokratike: “Përqafimi i këtyre standardeve do të imponojë një punë të madhe dhe jo të lehtë, por jam i bindur se është rruga e duhur për Shqipërinë dhe mishërimi i aspiratave dhe shpresave të demokratëve”.
Kreu demokrat beson se këto ndryshime, që presin aprovim të dielën e ardhshme nga Kuvendi Kombëtar, janë parathënia e një qeverisjeje të mirë për qytetarët nga Partia Demokratike dhe jo si qeverisja Rama, për të cilën, sipas tij, rezervoi tone negative edhe raportit vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Zgjedhje të blera, qeverisje e korruptuar në çdo degë të saj, drejtësi e kapur, media të kapura”, deklaroi Basha.
Kryetari i PD-së tha se zëri i SHBA-së u shtohet opinionit të disa vendeve të BE-së mbi Shqipërinë, opinion që, siç tha Basha, nuk është vetëm i Gunter Kirchbaumit, kreut të Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, për të cilin, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërmarrë fushatë denigrimi.
“Edi Rama vetëm sa po shton radhët e deputetëve gjermanë në Bundestag që janë pesimistë për hapjen e negociatave me Shqipërinë”, theksoi Basha.
Edi Rama reagoi duke deklaruar se kurrë asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë nuk është shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej kryministrit dhe Partisë Socialiste. Ai thotë se nuk e ka mik Krichbaumin dhe nuk hyn as në dashamirësit e PS-së dhe se çfarë mendon kryeministri ia ka thënë në sy, por deputeti gjerman gëzon respektin e Edi Ramës për ndihmën që dha kur Basha bllokonte Reformën në Drejtësi.
Top Channel