Nuk ka asnjë gjurmë të drejtuesve të kompanisë “Gulf”, e cila papritur ka mbyllur aktivitetin në të gjitha pikat e karburantit.
Administratori i kompanisë ka dhënë dorëheqjen para dy ditësh. Top Channel disponon dokumentin zyrtar të dorëheqjes dhe që është depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Arsyet e largimit të administratorit Irakli Svanidze, një shtetas gjeorgjian, thuhet se janë personale, ndërkohë që drejtimin e kompanisë nuk e ka marrë askush tjetër.
Ndërkohë, ka ardhur dhe urdhri i parë përmbarimor. Një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka lëshuar një urdhër për mostjetërsimin pronave deri në shlyerjen e detyrimeve fiskale.
Vetë “Gulf” ka si pronarë një kompani “offshore” në parajsat fiskale, kurse aksionerët janë krejt të panjohur. Në tatime dhe në gjykata nuk është njoftuar asnjë procedurë falimenti apo kërkese për mbyllje aktiviteti, por në të gjithë vendin pika e karburantit “Gulf” janë mbyllur.
Përmes një skeme gati piramidale shitjeje tollonash nafte dhe benzine me çmime deri 30 përqind më të ulëta se tregu, muajin e fundit kompania “Gulf” tërhoqi mjaft klientë të cilët parapaguan karburantin, por tani ato nuk po dinë ku të drejtohen. Madje natën që shkoi në një prej pikave të karburantit qytetarët e tërhoqën naftën me pompa.
Disa biznese kanë parapaguar deri në 3000 litra karburant dhe kanë mbetur në duar copa letre që nuk përdoren. Gjithsesi, jashtë kamerave, ato thonë se po presin se ndoshta mund të kemi ndërrim të pronësisë të “Gulf”.
As në Prokurori nuk është regjistruar ndonjë kallëzim penal.
“Gulf” e nisi aktivitetin e vet në Shqipëri në shator të 2013 me krijimin e shoqërisë “Sun Petroleum”, 6 muaj më vonë në shkurt të 2014 shoqëria u ble nga kompania “offshore” “Universal Energy Grup”, duke krijuar kështu një skemë zinxhir kompanish guaskë, përmes së cilës nuk mund të arrihet tek pronarët e vërtetë.
Nuk ka të dhëna të plota financiare për aktivitetin e “Gulf”. Deri para dy ditësh, ishin regjistruar 41 pika karburanti, ndërkohë xhiro vjetore e kompanisë është reduktuar nga viti në vit.
Në vitin 2015, ajo regjistroi një xhiro 3.2 miliardë lekë kurse në 2016 pati një rënie me 38% duke zbritur në 2 miliardë lekë.
Shitjet me pakicë, nga ana tjetër, ranë me 34 përiqnd. Furnizuesi kryesor me shumicë e “Gulf” ka qenë kompania tjetër “offshore” “IRTC”, e cila kishte në përdorim rafinerinë e “ARMO”-s deri në fund të vitit që shkoi, kur mbylli dhe aktivitetin duke lënë pas një mal me borxhe. Fati i “Gulf” është i paqartë, por kësaj radhe përveç borxheve të zakonshme ndaj tatimeve dhe biznese, kompania përmes skemës mashtruese bëri viktima dhe qytetarë të thjeshtë që nuk kanë ku t’i përdorin tollonat e karburantit.
Top Channel