Në Gjirokastër, aksioni kombëtar për të pastruar Shqipërinë në prag të sezonit turistik është duke larguar tonelata mbetjesh urbane prej brigjeve të lumenjve, territorin në të dy anët e rrugës nacionale dhe atë rreth parkut të Viroit, një prej atraksioneve kryesore natyrore në Gjirokastër.

Vullnetarisht, aksionit i janë bashkuar qytetarë, shkolla dhe institucione të tjera.

Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi tërhoqi vëmendjen për mungesën e bashkisë në këtë aksion, edhe pse pushteti vendor është përgjegjësi kryesor për mjedisin në territorin që mbulon.

“Bashkitë janë përgjegjëse për territorin e tyre. Mjedisi nuk ka parti dhe ideal. Do të ishte mirë që të gjithë të ishim bashkë duke pastruar mjedisin e Gjirokastrës, pasi nuk mund të presim nga të tjerët që të na e pastrojnë. Kjo është një ndotje 27-vjeçare, por ka ardhur koha që Shqipëria të mos ketë më këtë faqen e pistë që ne shikojmë gjithkund”, deklaroi Çuçi.

Prefekti i qarkut, Astrit Aliaj tha se aksioni do të largojë një sasi të shtresëzuar ndotjeje, por problematika, sipas tij, kërkon zgjidhje të qëndrueshme: “Duhet të mendojmë për atë që nxjerrim nga shtëpitë tona. Përveç pastrimit, komuniteti duhet të jetë më i kujdesshëm me mjedisin”.

Në të gjithë territorin e Qarkut të Gjirokastrës, njësitë vendore arrijnë të largojnë jo më shumë se 50% të mbetjeve urbane. Në më shumë se 90% te territorit, në zonat rurale nuk ka kosha dhe ato ato nuk mbulohen fare me shërbim për largimin e mbetjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA