Masat për azilkërkuesit, MB: Të vendosur për goditjen e grupeve kriminale

19/04/2018 12:41

Pas takimit me ministrin Xhafaj, Sekretari për Azilin dhe Migracionin në Belgjikë, Theo Francken, zhvilloi doli në një konferencë të përbashkët me zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda.

Sa i përket takimit me zyrtarin belg, zëvendësministja e Brendshme u shpreh se do të jemi në komunikim të vazhdueshëm për adresimin e një sërë çështjesh që preokupojnë vendet tona, por kryesisht ato të migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit.

Më tej, Voda theksoi vendosmërinë për goditjen e grupeve kriminale që janë të përfshira në azilin e paligjshëm.

“Kemi bërë fushata intensive sensibilizuese; masa administrative dhe procedime për favorizuesit dhe nxitësit e azilit të paligjshëm; kemi proceduar punonjës policie që duke shpërdoruar detyrën apo përmes korrupsionit lejonin kalimin e personave me probleme në dokumentacion për të udhëtuar në Shengen; si dhe jemi të vendosur për goditjen e grupeve kriminale që janë të përfshira në këtë veprimtari”.

Deklarata e plotë

Rovena Voda: Patëm një takim të frytshëm me Sekretarin e Shtetit për Azilin dhe Migracionin e Belgjikës, me të cilin jemi dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm për adresimin e një sërë çështjesh që preokupojnë vendet tona, por kryesisht ato të migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit.

Dëshiroj të theksoj se marrëdhëniet tona janë në një nivel bashkëpunimi shumë të mirë dhe me rezultate konkrete, por që duhet sigurisht të intensifikohen dhe presim sigurisht rezultate më të mira.E falënderova Sekretarin e Shtetit për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë procesit të integrimit të vendit tonë në BE.

Më duhet të theksoj që në fokus të veçantë të diskutimeve tona, siç e thashë, ishin çështjet e migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit. Në këtë kontekst, i prezantova paketën e masave të marra për frenimin e migracionit të parregullt jo vetëm drejt Belgjikës, por edhe vendeve të tjera të BE-së, të cilat ndikohen nga ky fenomen.

Unë dua të theksoj se ne jemi të vendosur për të minimizuar fenomenin e migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit pasi Shqipëria është një vend i orgjinës së sigurt dhe dua të theksoj së që nga muaji korrik 2017, Policia e Shtetit ka forcuar masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me fokus të veçantë të miturit e pashoqëruar, duke proceduar me ndjekje penale për të prindërit që lenë të miturit e pashoqëruar në vendet e BE-së.

Kemi bërë fushata intensive sensibilizuese; masa administrative dhe procedime për favorizuesit dhe nxitësit e azilit të paligjshëm; kemi proceduar punonjës policie që duke shpërdoruar detyrën apo përmes korrupsionit lejonin kalimin e personave me probleme në dokumentacion për të udhëtuar në Shengen; si dhe jemi të vendosur për goditjen e grupeve kriminale që janë të përfshira në këtë veprimtari.

Të gjitha këto masa që ne kemi ndërmarrë deri tani kanë dhënë një efekt paraprak. Në vendet e zonës Shengen ne kemi një ulje të kërkesës për azil me 24% për vitin 2017, sipas të dhënave të Eurostat.

Gjithashtu mjafton të kujtojmë faktin se 3 muajt e parë të këtij viti, iu është refuzuar dalja rreth 5,400 shtetasve shqiptarë për mungesë dokumentacioni.

Por, sigurisht ne jemi të ndërgjegjshëm që lufta jonë ndaj këtij fenomeni duhet të vazhdojë. Masat shtrënguese janë njëra anë, por nga ana tjetër Ministria e Brendshme ka hartuar dhe ka gati për miratim një Plan e Veprimi të gjerë për parandalimin e fenomenit të azilit në vendet e BE-së dhe zonën Shengen.

Mbetemi tërësisht të angazhuar të bashkëpunojmë me palën belge, për të zhvilluar një analizë të detajuar të fenomenit të azil kërkimit, shkaqeve dhe faktorëve që e nxisin atë.

Do të vijojmë të bashkëpunojmë edhe më afër në planin operacional me Belgjikën dhe jam e bindur se eksperiencat që kemi pasur me vende të tjera të BE-së, do të shërbejnë si model në adresimin e kësaj çështje me më shumë efektivitet në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA