Ylli Manjani thotë se Qeveria aktuale nuk ka asnjë meritë në marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe thotë se indiciet tregojnë për një vendimarrje gjeopolitike të Komisionit.

“Ky debati i brendshëm i propagandës së ditës, për mua janë muhabete kot dhe gjithmonë opozita e radhës akuzohet se ka bllokuar diçka. Nevoja për rezultate është e dukshme dhe qeveria që nuk ka bërë asgjë ka nevojë për rezultate”, thotë Manjani.

Por, duke folur në emisionin Të Paekspozuarit këtë të enjte, Manjani thotë se shqiptarët nuk janë informuar se çfarë i pret në rast të hapjes së negociatave, megjithëse BE ka dhënë ndër vite rreth 80 milionë euro për këtë pjesë.

“Bashkimi Europian, përmes IPA-s harxhon prej vitesh para pafund si asistencë për të ndihmuar Shqipërinë që të jetë anëtare. Janë harxhuar 80 mln euro për të bërë të vetëdijshëm popullin shqiptar se çfarë e pret me anëtarësimin në BE. Pra nuk është bërë asnjë përpjekje për të sqaruar se çfarë është BE”, thotë ai.

E për të qenë të përgatitur, Manjani shkon deri atje sa kërkon që të hiqet monedha vendase, pra leku dhe të përdoret euro.

“Lekun duhet ta heqim për ta zëvendësuar me euron. Ky është një diskutim i substancës. Duhet të kuptojmë që me anëtarësimin territori i Shqipërisë bëhet automatikisht territor i hapësirës europiane, s’ka më dogana”, shton ai.

Propozimi i Ylli Manjanit mbërrin në një kohë kur Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa hapa për forcimin e lekut, njohur ndryshe edhe si deeuroizimi, masa që kanë sjellë dobësimin e monedhës së përbashkët europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA