Betohet presidenti i ri kuban, i pari “post Castro”

19/04/2018 20:23

Ai u zgjodh nga Asambleja Kombëtare kubane si president i Këshillit të Shtetit dhe Këshillit të Ministrave. Miguel Diaz Canel, shefi i parë i shtetit kuban që nga Revolucioni i vitit 1959, që nuk mban mbiemrin Castro, bëri betimin në këtë post të rëndësishëm.

Diaz-Canel, 57 vjeç, është lindur edhe vet pas revolucionit. Ai ishte i vetmi kandidat për postin dhe u zgjodh me votat pro të 603 nga 604 deputetët e Parlamentit të Havanës, për një mandat pesëvjeçar.

Ai do të pasojë Raul Castron, duke i dhënë fund kështu 6 dekadave të sundimit të vëllezërve Castro. Sidoqoftë, Raul Castro pritet të vazhdojë të ketë ndikim në vendin komunist, edhe pas largimit nga posti.

Në fjalimin e tij të betimit, Diaz-Canel tha se mandati i tij kishte si qëllim të siguronte vazhdimësinë e revolucionit kuban, në këtë moment të rëndësishëm historik.

“Politika e jashtme e Kubës do të mbetet e pandryshuar dhe çdo ndryshim i nevojshëm do të vendoset nga populli kuban”, tha Miguel Diaz-Canel, presidenti i ri i Kubës.

Diaz-Canel, më herët zëvendëspresident, pritet të ndjekë reformat e nisura nga Castro për të hapur ekonominë e Kubës për sipërmarrësit e vegjël privatë, e për të arritur një afrim me armikun e Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që prej vitit 2015, Havana dhe Uashingtoni kanë rivendosur lidhjet diplomatike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA