Ekspertë nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike do të vizitojnë vendin ku është kryer sulmi i supozuar me armë kimike të mërkurën nëse Kombet e Bashkuara thonë se udhëtimi i tyre atje është i sigurt – thotë Siria.
Ekspertët kanë mbërritur në Damask që nga e shtuna, por ende nuk kanë mundur të hyjnë në Douma. Ende nuk dihet se çfarë vendimi kanë marrë Kombet e Bashkuara, ndërkohë që zyrtarët rusë dhe sirianë flasin për probleme sigurie në mos lejimin e inspektorëve që të hyjnë në Douma.
Autoritetet siriane kanë propozuar ndërkohë që inspektorët të lejohen të marrin në pyetje 22 persona që sipas tyre ndodheshin në zonën e supozuar të sulmit dhe mund të silleshin në damask për intervista.
Vetë inspektorët janë skeptikë sidoqoftë për misionin e tyre pasi tashmë kanë kaluar 11 ditë nga sulmi dhe ata duhej të merrnin kampionë që do ti ndihmonin të identifikonin ndonjë kimikat të përdorur.
SHBA por edhe vende të tjera besojnë se në një kohë kaq të gjatë, ekziston frika se forcat ruse mund të kenë manipuluar vendngjarjen dhe provat të jenë zhdukur. Por, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka mohuar çdo ndërhyrje.
Ai tha se akuzat për përdorimin e armëve kimike janë bazuar në raporte mediash apo tek mediat sociale dhe se incidenti është në fakt i sajuar. Qeveria siriane po ashtu mohon të ketë përdorur armë kimike.
Sidoqoftë, ekspertë nga kombet e bashkuara por edhe nga organizata për ndalimin e armëve kimike, kanë folur për të paktën katër sulme kimike gjatë luftës civile në vend, përfshirë edhe sylmin në qytetin e kontrolluar nga rebelët Khan Sheikhoun, në prill 2017, ku u përdor agjenti nervor sarin.
Sipas organizatës botërore të shëndetit, që citon raporte nga partnerët e saj mjekësor në Duma, rreth 500 pacientë janë paraqitur në spitale me shenja dhe simptoma që flisnin për ekspozim ndaj kimikateve toksike.
Më shumë se 70 persona të strehuar në bodrume, raportohet të kenë vdekur me 43 prej këtyre vdekjeve të lidhura me simptoma direkte të kimikateve toksike.
Top Channel