Federica Mogherini e mbajti fjalën. Në emër të Komisionit Europian, shefja e Politikës së Jashtme së BE-së i rekomandoi Këshillit hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke vlerësuar progresin e arritur.
“Sot Komisioni rekomandon që Këshilli të vendosë hapjen e negocitave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Sigurisht që ky është një proces, kështu që ruajtja e dhe thellimi i reformave duhet të vazhdojë në të gjitha fushat, sidomos përsa i përket shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, institucioneve demokratike dhe administratës publike. Vendet duhet të sigurohen që reformat të zbatohen dhe të tregojnë rezultate konkrete, jo sepse e kërkon Brukseli, por seppse njerëzit e rajonit e kërkojnë”, tha Federica Mogherini.
Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë të ruajë ritmin e reformave dhe fokusimin te 5 prioritetet kyçe.
“Veçanërisht përsa i përket reformës në drejtësi. Kemi parë rezultatet konkrete me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurororëve, vettingun e famshëm. Jemi në fillim të këtij procesi, por ajo çfarë mund të shikojmë është premtuese, ndaj mendoj se ky rekomandim është i justifikuar. Kjo vlen edhe për vendet e tjera”, tha Komisioneri.
Gjatë konferencës për shtyp, Financial Times pyeti Mogherinin si do ta bindë Këshillin për të hapur negociatat me Shqipërinë, duke pasur parasysh ato që gazetarja e i quajti si probleme me krimin e organizuar.
“Nuk është çështje për të bindur Këshillin, është çështje koherence. Dokumenti që miratuam tregon qartë situatën si ishte, si është, rekomandimet që duhen përmiresuar dhe rezultatet e arritura. Hapat e ndërmarra janë në drejtimin e duhur. Vendimi për t’i rekomanduar Këshillit hapjen e negociatave bazohet mbi rezultate të arritura mbi rekomandime të lëna më herët. Rezultatet janë të dukshme, vendimi i sotëm bazohet në vlerësimin e progresit”, u përgjigj ajo.
Fill pas kësaj konference kryediplomatja e Bashkimit Europian u nis për në Tiranë. Pas darkës me Kryeministrin Rama, takimet zyrtare janë për paraditen e të mërkurës, duke filluar nga kreu i Qeverisë, Presidenti Meta dhe krerët e opozitës Basha e Kryemadhi.
Pas publikimit të raportit në Strasburg nga Mogherini dhe Hahn, përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin, u nis në këmbë për t’i materialin e printuar Kryeministrit Rama në selinë e Qeverisë, Presidentit Meta në zyrën e këtij të fundit, si dhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi pranë Kryesisë së Kuvendit.
Top Channel