Pasi mori zyrtarisht raportin e Komisionit Europian nga Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, Kryeministri Edi Rama u shfaq i emocionuar në konferencën për shtyp.
Kryeministri tha se rekomandimi është dhënë pa asnjë rezervë dhe shigjetoi edhe mediat që u morën me frymëmarrjen e tij në deklaratën e bërë pas protestës në Rrugën e Kombit.
“Jam i emocionuar dhe ata që merren me frymëmarrjen mbase e ndjejnë, por jam edhe shumë krenar, sepse ja dolëm këtij provimi të vështirë. I dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkombëtare dhe dolëm nga një tjetër udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Rruga përtej udhëkryqit, sado e gjatë është e gjitha e hapur përpara nesh”, deklaroi Kryeministri.
Stacioni i radhës, thotë Rama është anëtarësimi, ndërsa ndau meritat edhe me paraardhësit e tij.
“Një falenderim për ata që kush më shumë e kush më pak, dhanë një dorë për të ndërtuar një pjesë të rrugës së vetme për shqiptarët, atë drejt BE-së”, vijoi ai.
Rama e quan plotësisht të merituar rekomandimin e hapjes së negociatave.
“Europa nuk bën dhurata dhe Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh dhe njeh vetëm meritat. Rekomandimi është njohja e meriatave tona në fushën e reformave dhe me luftë të vërtetë kundër armiqëve të shoqërisë dhe shtetit, krimit dhe korrupsionit”, thotë ai.
Kryeministri thotë se tani vendin e presin sfida të reja, ndërsa hapjen e negociatave e quan fitore të shqiptarëve.
“Nuk është fitorja e partisë që u investua me mish e shpirt për këtë ditë kundrejt partisë që bëri gjithçka për të shtyrë këtë ditë! Nuk është fitorja e qeverisë mbi opozitën që la kockat për ta bërë të pamundur këtë objektiv. Sot ka fituar atdheu unë i përçmuar prej shumë vitesh nëpër Europë. Sot kanë fituar shqiptarët që të gjithë, pa asnjë dallim. Sot është Shqipëria që ka fituar një status të ri në shoqërinë e vendeve europiane”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Top Channel