Lulzim Basha përshëndeti rekomandimin për hapjen e negociatave, por këmbëngul se disa vende kryesore të BE-së janë skeptike. Mes tyre ai rendit Gjermaninë.
“Disa nga vendet kryesore Europiane janë skeptikë për Shqipërinë dhe kërkojnë arritje dhe prova të vërteta, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Një nga këto vende është Gjermania, parlamenti i së cilës është ende i pavendosur për qëndrimin ndaj Shqipërisë”, shkruan kreu i PD në rrjetet sociale.
Basha thotë se loboi tek të djathtët në Bundestag për hapjen e negociatave.
“Zhvillova seancë dëgjimore me deputetët e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU/CSU, dhe me anëtarët të Komisionit për Çështjet Europiane dhe të Politikës së Jashtme. Pata takime të veçanta me Johann Wadephul, Nënkryetar i Grupit Parlamentar CDU/CSU dhe Kryetar i Grupit të Punës për Ballkanin, me Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit për Çështje Europiane; me Raporterin e CDU/CSU për Shqipërinë Thorsten Frei, me Këshilltarin e Grupit CDU/CSU për punët e Jashtme dhe sigurinë Joachim Falenski. Takime të rëndësishme zhvillova edhe me përfaqësues të lartë të qeverisë dhe në kancelarinë gjermane ku u prita nga Këshilltari i Kancelares Merkel për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Dr. Jan Hecker”, vijon ai.
Në fund, Basha thotë se shpreson që këto takime të kenë kontribuar sadopak që qeveria gjermane dhe Bundestagu të mbështesë dhe votojë pro hapjes së negociatave, duke i hapur rrugën votës pro të Gjermanisë në qershor.
“Sikurse shpresoj që edhe Franca dhe Holanda do të përqafojnë aspiratën e madhe të shqiptarëve për të qënë pjesë e BE-së”, mbyllet reagimi i Bashës në Facebook.
Këshilli i Europës do të mblidhet më 28-29 qershor.
Top Channel