Në shkurt të këtij viti, Organizata Botërore e Shëndetësisë e kategorizoi varësinë nga lojërat e fatit si sëmundje mendore.

Një 34-vjeçar nga Tirana si fillim nisi të abuzojë me alkoolin.

“Mbaroja punën dhe direkt nisesha për në një lokal tjetër dhe nisja të pija. Pija 10-15 birra”, tregon ai.

Më pas ra në kurthin e basteve sportive.

“Shikoja shokët dhe thashë hajd se po vendos edhe unë. Qëlloi që 2-3 herët e para kapja dhe më pas vetëm lija para. Vajti deri atje sa po shkatërroja familjen. Vija tapë në shtëpi, gjithë skedina nëpër xhepa”, vijon i riu.

Për rreth 5 vjet jeta e tij rrotullohej rreth 2 gjërave; alkool dhe skedina. Punonte kamarier.

“Kam patur 2 milionë lekë borxhe dhe i kam larë tani”, thotë ai.

Po sa është shuma më e madhe që ka lënë?

“Në ditë ka qenë 200-250 mijë lekë. I merrja lekët edhe nga shokët. Mund të kemi humbur tek 7-8 milionë lekë. Familjes nuk i ka marrë lekë asnjëherë. Në shtëpi çoja rrogën një herë në 2-3 muaj. Justifikohesha duke u thënë që s’e kisha marrë rrogën”, tregon ai.

34-vjeçari është babai e një fëmije 3 vjeç.

Djali thotë se nëpër pika bastesh has jo vetëm meshkuj, por edhe femra dhe fëmijë.

“Janë bërë edhe kalamajt e shkollave që 8 vjeç me skedina nëpër duar, cigare dhe alkool. Kam parë që vendosin skedina”, thotë ai.

Prej 2 javësh po kurohet për varësinë nga alkooli dhe bastet sportive. Ndërkohë, që nga fillimi i këtij viti është në kërkim të një pune.

“Tani vendosa që çdo lek që do të marr do ta çoj në familje. Po e bëj këtë sfidë për djalin dhe nusen time”, premton më tej.

Ka një merak për djalin e vogël.

“Do Zoti nuk bëhet siç kam qenë unë! Të jetë për veten dhe familjen e vet.

Është rikthyer në gjirin e familjes dhe është i vendosur ta fitojë betejën e dyfishtë.

“Pasdite me nusen dhe çunin dalim xhiro. Dua t’u bëj qejfin atyre të paktën. Kam dy javë e ca që nuk vendos skedina dhe nuk më mungojnë. Ndjehem sikur ka lindur sërish”, rrëfen ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA