Mbyllja e thertores në Klos ka ndikuar në shitjen e bagëtive në tregun e gjësë së gjallë. Të dëmtuar janë banorët e zonave përreth të cilët jetojnë me të ardhurat nga blegtoria.
Edhe pse bagëtitë janë të matrikulluara dhe të kontrolluara nga shërbimi veterinar i zonës, fermerët thonë se ka më pak shitje për shkak të mungesës së thertores. Ata duhet që t’i transportojnë kafshët drejt qytetit të Lezhës për t’i therur kjo u shton kostot dhe ul fitimet.
“Ne duke shitur bagëtitë jetojmë. Shteti na e ka mbyllur thertoren. Ata e kanë mbyllur thertoren për arsyet e tyre. Ne nuk rrimë pa ngrënë, se mish do të hamë”, thotë një qytetar.
Shumë fermerë zgjedhin t’i konsumojnë vetë bagëtitë sesa t’i shesin me çmime më të ulëta apo pa fitim. Por therja edhe në këtë rast ndodh në kushte të papërshtatshme në oborret e shtëpive pasi banorëve nuk u dalin paratë për të shkuar deri në Lezhë e për të therur bagëtitë për konsum vetjak.
Top Channel