Partia Demokratike e interpreton heshtjen e Prokurorisë në lidhje me atë që e quan arrestim të paligjshëm të protestuesve kuksianë si kapje politike të këtij institucioni.
“Heshtja e prokurorisë për provat e manipulimit të arrestimit të paligjshëm të protestuesve kuksianë, faktojnë varësinë e saj politike nga Edi Rama. 24 orë pas publikimit të videos që provon manipulimin e provave nga prokuroria dhe Policia për arrestimin e paligjshëm të 23 protestuesve kuksianë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme po miraton në heshtje padrejtësinë dhe varësinë e saj politike nga Edi Rama”, deklaroi deputeti demokratik, Gent Strazimiri.
Një ditë më parë, opozita publikoi pamje filmike nga aksioni policor për arrestimin e 23 protestuesve që u tubuan kundër tarifës në Rrugën e Kombit. PD thotë se pamjet hedhin poshtë procesverbalet e Prokurorisë dhe të policisë ku thuhet se arrestimi i tyre është bërë në orët e paradites.
“Siç u pa në video, qytetarët janë arrestuar në 3 të mëngjesit dhe jo në orën 10.00 të paradites, siç thuhet në procesverbalin zyrtar të falsifikuar në bashkëpunim mes prokurorisë dhe policisë. I vetmi justifikim ndaj falsifikimit të provave për “tavarishët” që duan të kalojnë me sukses “edvingun”, mbetet që të kenë vepruar “në mirëbesim” me orën e Moskës, por ky nuk është shfajësim ligjor!”, deklaroi këtë të martë, Gent Strazimiri.
Deputeti demokrat akuzoi organin e akuzës për standarde të dyfishta.
“Le jashtë burgu Saimir Tahirin, i kapur nga Antimafia italiane si pjesë e trafikut të drogës, por nga ana tjetër fut në burg njerezit e zakonshëm që protesojnë kundër padrejtësive”, tha ai.
Top Channel