Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, por kushtëzon ecurinë e këtyre negociatave me mbarëvajtjen e mëtejshme të reformës në drejtësi, sidomos procesit të vettingut.

Në raportin prej 37 faqesh, një kopje të të cilit zotëron edhe Top Channel thuhet se është bërë përparim në pesë prioritetet kyçe.

“Duke marrë parasysh progresin e bërë, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë për të ruajtur dhe thelluar ritmin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, sidomos rreth pesë prioriteteve kyçe dhe rezultateve konkrete gjatë vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm”, thotë raporti i Komisionit.

Në raport vlerësohet ecuria në reformën në drejtësi dhe aty reflektohen të gjitha zhvillimet kryesore, që nga nisja e procesit të vettingut. Komisioni përmend dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të profilit të lartë, mes të cilëve ishte edhe një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.

Sipas Komisionit, reforma në administratën publike për rritjen e profesionalizimit, efikasitetit dhe sidomos depolitizimit të saj ka ecur me hapa të kënaqshëm.

Duke u ndalur tek korrupsioni dhe krimi i organizuar, përfshirë këtu edhe kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, Komisioni vëren se gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje, por thotë se duhet më shumë punë për çmontimin e grupeve kriminale, ndëshkimin e krerëve të këtyre grupeve dhe pastrimin e parave.

“Përgjithësisht ka patur një progres gjatë kësaj periudhe, sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit (2017). Shqipëria duhet të përshkallëzojë punën në konfiskimin e pasurive kriminale dhe të vazhdojë me sekuestrimin dhe shkatërrimin e të gjithë hashashit të mbetur stok në vend. Bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë ka vend për përmirësim dhe ka patur pak progres në çmontimin e grupeve kriminale, numri i të dënuarve si koka të grupeve kriminale vazhdon të jetë shumë i ulët. Më shumë përpjekje nevojiten në luftën kundër pastrimit të parave, për goditjen e aseteve kriminale dhe të pasurive të pajustifikuara”, thuhet më tej në raport.

Edhe sa i takon luftës kundër korrupsionit, Komisioni njeh pak përparësi.

“Progres domethënës u krye me amendimet e Kodit të Procedurës Penale. Një zinxhir organizmasah antikorrupsion, përfshirë edhe një prokuror të posaçëm pritet të ngrihen. Numri i të dënuarve mes zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm u rrit në krahasim me periudhat e mëparshme. Ndëshkimi i korrupsionit në rangun e zyrtarëve të lartë ndodhi përgjithësisht në sistemin e drejtësisë, megjithatë, numri i të dënuarve mbetet mjaft i ulët. Korrupsioni mbetet prevalues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, vëren KE.

Me nota qortuese vlerësohet edhe kriteri politik.

“Polarizimi i vazhdueshëm i skenës politike në 2017 preku edhe punën e Parlamentit. Opozita bojkotoi Kuvendin, gjë që shkaktoi edhe zvarritjen e ngritjes së institucioneve të Vettingut”, thotë ndër të tjera raporti.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA