Kopja më e madhe në botë e Titanikut nga lojërat “Lego” u ndërtua në më shumë se 700 orë, apo 11 muaj, nga një djalë 10-vjeçar nga Rejkjaviku i Islandës.

Brynjar Karl Bigisson, sot 15 vjeç, hyn në spektrin e autizmit. Ai përdori mbi 56 mijë formuese për krijimin përfundimtar: Një kopje gati 8 metra e gjatë dhe 1.5 metra e lartë e gjigantit të detit, të fundosur në udhëtimin e tij të parë.

Titaniku lodër bën dëbutimin këtë fillimjavë në muzeun kushtuar kësaj anijeje në Tennessee.

Brynjari kujton se, luante me “Lego” për orë të tëra kur ishte 5 vjeç.

“Ndonjëherë ndërtoj nga udhëzimet, herë të tjera përdor imagjinatën time”, thotë ai. Djali, dikur ishte i fiksuar me trenat, por e gjithë kjo ndryshoi, kur gjyshi Ludvik Ogmundsson e mori me vete për peshkim, gjë që ngjalli një interes të fortë të fëmijës për anijet.

Kur mbushi 10 vjeç, ai dinte gjithçka mbi Titanikun.

“Kur udhëtova me mamin tim në ‘Legoland’ të Danimarkës dhe pashë për herë të parë të gjitha modelet mahnitëse të shtëpive e avionëve, por edhe anijeve të famshme, nisa atëherë të mendoj për të realizuar një model timin, e më shkoi mendja te Titaniku”, shpjegon Brynjar.

Projekti i tij do të kthehej më pas në një çështje familjare, ku dhanë ndihmesën e tyre gjyshi Ogmundsson, i cili është inxhinjer, dhe mamaja Bjarney Ludviksdottir.

“Fëmijët me autizëm e kanë të vështirë ta ndjekin ëndrrën e tyre”, thotë ajo për CNN-in. “Por kjo është një e drejtë që nuk duhet t’iu mohohet, ashtu si të gjithëve ne”.

Ogmundsson, nga ana tjetër shprehet se autizmi nuk ka përse të jetë frikësues.

“Shumë shkencëtarë të mëdhenj e udhëheqës kombëtarë kanë pasur e kanë autizëm, – arsyeton ai. – E rëndësishme është që individë të tillë të kuptohen e të mbështeten, sepse të gjithë mund të mësojnë prej njerëzve të tillë, nëse i dëgjojnë se çfarë kanë për të thënë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA