Putin bisedon me Rouhanin, paralajmëron “kaos” global

16/04/2018 14:16

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi për “kaos” global, gjatë një bisede telefonike me presidentin e Iranit, të fokusuar te sulmi i së premtes mbrëma mbi Sirinë.

Një deklaratë e lëshuar nga Moska zyrtare mbi këtë bisedë tregon se, shefi i Kremlinit dhe Hassan Rouhani diskutuan gjatë mbi sulmin raketor që shënjestroi një laborator shkencor dhe dy depo armësh kimike.

Ata kanë rënë dakord se “ky veprim i paligjshëm ka dëmtuar seriozisht perspektivat për një zgjidhje politike në Siri”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump e urdhëroi mësymjen në koordinim me Francën dhe Britaninë e Madhe, si kundërpërgjigje të sulmit të supozuar kimik në fortesën rebele të Doumës, ku u vranë dhjetëra vetë.

Rusia dhe Irani e kanë ruajtur mbështetjen e tyre për Assadin, pavarësisht se regjimi i tij është përfolur vazhdimisht për përdorim armësh të kësaj natyre, të cilat Moska pati deklaruar në vitin 2013 se do t’i ndalojë.

Të shtunën, qeveria ruse shkoi deri aty sa të paraqesë në OKB, një rezolutë që dënon forcat e koalicionit për nisjen e sulmeve të përbashkëta ajrore, rezolutë që u rrëzua, pasi nuk arriti të marrë më shumë sesa votat e Rusise, Kinës dhe Bolivisë.

Ndërkohë, një gazetar rus – që kishte shkruar mbi vdekjet e mercenarëve në Siri, – vdiq në spital pas rrëzimit nga dritarja e apartamentit të tij, në katin e pestë të pallatit ku banonte. Maxim Borodin u gjet nga fqinjët i lënduar keqas, e ndërroi jetë më pas në spital.

Zyrtarët lokalë thonë se nuk është gjetur ndonjë letër lamtumire. Por, ndonëse ata përpiqen të tregojnë se incidenti nuk duket të ketë natyrë kriminale, një mik i afërt i reporterit thotë se banesa e tij ishte rrethuar nga punonjës të sigurisë dy ditë përpara ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA