Pak pas mesdites së të hënës, kur Top Channel kishte bërë publik raportin e Brukselit në të cilin rekomandohet hapja e negociatave me Shqipërinë, mazhoranca dhe opozita nuk i rezistuan debatit, ndonëse në distancë.

Numri dy i socialistëve, Taulant Balla i kërkoi kryedemokratit Basha që të mos lobojë kundër Shqipërisë, gjatë vizitës që po zhvillon në Gjermani, një prej vendeve skeptike ndaj Tiranës.

“Jam i bindur që me sjelljen e saj te fundit në seancë opozita dëmton vetingun, reformën në drejtësi dhe në këtë pikë edhe hapjen e negociatave. Shpresoj që Lulzim Basha të mos investohet në një lobin kundër hapjes së negociatave edhe përmes kësaj vizite në Berlin”, deklaroi Taulant Balla.

Lulzim Basha ia ktheu përgjigjen fill pasi përfundoi takimin në Bundestag me ekspertë të politikës së jashtme të grupit CDU-CSU.

“Kemi kërkuar bashkë me anëtarët që më shoqërojnë mbështetjen e grupit të CDU-CSU për hapjen e negociatave për Shqipërinë, si një akt që do të ndihmojë Shqipërinë dhe shqiptarët në një ëndërr anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe si një përpjekje për të plotësuar kriteret e paplotësuara të luftës kundër korrupsionit, reformën në drejtësi, krimit të organizuar, reformën e administratës publike”, thotë Lulzim Basha.

Tirana zyrtare shpreson në një përgjigje pozitive të Bundestagut që në qershor, ndonëse procedurat e veçanta të parlamentit gjerman rrezikojnë ta shtyjnë miratimin në dhjetor.

“Ashtu si edhe ne me të majtët gjermanë, Lulzim Basha duhet t’i bindë që të kalojë sa më shpejt në këto procedura parlamentare”, propozon Balla.

“I i kemi kërkuar ta shohin këtë një proces që mundëson vazhdimin e betejës për të çmontuar krimin e organizuar”, deklaron Lulzim Basha.

Sipas Bashës, opozita mbështet hapjen e negociatave pasi kjo do të fuqizonte betejat e opozitës duke shtuar kontrollin e Brukselit ndaj Qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA