Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa duke folur në Forumin Qytetar për Sigurinë Publike në Elbasan, tha se vetëm në këtë qark janë identifikuar 2-3 grupe kriminale, që siç tha vetë ministri “policia do ua nxijë jetën”.
“Në Elbasan kemi 2-3 grupe kriminale që i njohim shumë mirë dhe po punojmë për to për di dokumentuar në mënyrë që shumë shpejt të mund ti vëmë para përgjegjësisë penale. Shteti është shumë më i fortë se çdo lloj krimineli. Për secilin nga ata duhet të jetë shumë e qartë që policia do ua nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të mund të përballet me drejtësinë”, tha Xhafaj.
Ai foli për rezultatet e këtyre muajve të operacionit “Forca e Ligjit”, ku sipas ministrit janë goditur 7 grupe kriminale, me 100 persona të arrestuar.
“Ka qenë dhe është operacion i suksesshëm, brenda pak muajve kemi arritur të skedojmë të gjitha grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri apo ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me grupet e tjera kriminale dhe jo vetëm kemi evidentuar se cilat janë po në bashkëpunim dhe në drejtimin e prokurorisë kemi mundur të godasim pjesë të rëndësishme të këtyre grupeve kriminale. Janë vetëm 3-4 muaj dhe kemi goditur 7 grupe të tilla kriminale me rreth 100 persona të arrestuar, drejtues apo anëtar të këtyre grupeve kriminale. Policia e Shtetit përmes strukturave të posaçme, task force speciale qendrore dhe rajonale të dedikuara për luftën kundër krimit të organizuar të ngritura në çdo qark janë duke punuar për t’i ndëshkuar këto grupe kriminale. Ata personalisht, po dhe asetet e tyre të krijuara nga kjo veprimtari kriminale”, tha Xhafaj.
Top Channel