Presidenti francez, Emmanuel Macron pretendon se ishte ai që e bindi shefin e Shtëpisë së Bardhë të mos i tërhiqte trupat nga Siria përpara sulmeve të fundjavës, por të angazhohej atje për një periudhë afatgjatë.

Donald Trump ishte shprehur më herët gjatë muajit se, Shtetet e Bashkuara do ta linin vendin e trazuar, por sipas kreut të Elizesë, ndërhyrja e tij ka pasur efekt.

Madje, Macron thotë se i mbushi mendjen presidentit amerikan ta mbante nivelin e sulmeve atje të kufizuar. Dy udhëheqësit, që kanë një raport miqësor mes tyre, kanë komunikuar disa herë me njëri-tjetrin në telefon gjatë ditëve që paraprinë aksionin ushtarak kundër Damaskut.

“Përpara 10 ditësh, presidenti Trump deklaronte se Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin fund angazhimit të tyre në Siri. Ne e bindëm se qëndrimi i tyre atje është i domosdoshëm”, tha Macron.

Shtëpia e Bardhë paraqet një tjetër variant.

“Misioni amerikan nuk ka ndryshuar, – deklaroi zëdhënësja Sarah Sanders. – Presidenti e ka bërë të qartë se dëshiron që forcat e Shteteve të Bashkuara të kthehen në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe pse (siç theksoi ajo) Amerika mbetet e vendosur ta shkatërrojë krejtësisht Shtetin Islamik e të parandalojë rikthimin e tij”.

Edhe kur njoftoi sulmin me raketa, mbrëmjen e vonë të së premtes, Trumpi këmbënguli se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë në asnjë rrethanë praninë për një kohë të papërcaktuar në Siri.

Shtetet e Bashkuara kanë një personel prej gati 2.000 vetësh në terren, në lindje të Sirisë, trupa këto të angazhuara në mbështetjen e aleancës së kurdëve dhe milicisë arabe, të njohur si “Forcat Demokratike Siriane”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA