Afati për të zbardhur një vendim administrativ është vetëm shtatë ditë.
Por, treshja e gjyqtarëve të Apelit Administrativ që i hap rrugën ndërtimit të pesë kullave në Digën e Liqenit nuk po e respekton këtë kufi të vendosur nga ligji.
Top Channel u interesua për të marrë vendimin e zbardhur, por megjithëse është shkelur koha e caktuar me ligj, nuk ka ende asnjë verdikt të argumentuar.
Vendimi i shpallur në datën 3 prill nga gjyqtaret Rilinda Selimi, Alkelinda Gazidede dhe Enkelejda Softa nuk është dorëzuar ende, megjithëse janë gjashtë ditë jashtë këtij afati.
E vetmja gjurmë që kanë lënë tre gjyqtarët pas shpalljes së vendimit është një dispozitiv në të cilin thuhet se lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative të Tiranës dhe se kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ndërtimi i kullave pranë Liqenit Artificial gjatë tre viteve të fundit ndër më të kundërshtuarat. Më shumë se një vit më parë, pasi u kërkua ndryshimi i kësaj trupe gjyqësore dhe pas protestave të organizuara nga Bashkia e Tiranës para Gjykatës Administrative, gjykimi i kullave u la në harresë deri në fillim të muajit prill.
Por, ndërtimet pranë liqenit janë konsideruar të rrezikshme gjatë 2015 edhe nga Komiteti i Digave, në një raport që kundërshtonte ngritjen e një kompleksi të tillë.
Palë paditëse në betejën administrative ka qenë Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit që kundërshtonte një leje zhvillimi e ndërtimi të vitit 2014 në këtë zonë.
Nuk dihet ende nëse IKMT do ta kundërshtojë në Gjykatën e Lartë apo jo vendimin e Rilinda Selimit, Alkelinda Gazidedes dhe Enkelejda Softes.
Top Channel