Sot në Kosovë përkujtohet 19 vjetori i fillimit të eksodit që detyroi rreth një milion shqiptarë të zhvendoseshin në Shqipëri dhe Maqedoni për të shpëtuar nga ofensiva serbe dhe tmerret e luftës.
Mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.
Kjo ditë përkujtohet edhe në Shqipëri, ku mijëra shqiptarë hapën dyert.
Kukësi ishte qyteti i parë që priti shqiptarët e Kosovës dhe sot si çdo vit kjo ditë kujtohet me aktivitete e ceremonisë “Eksod 99”. 16 prilli është një ditë kur shqiptarët bëhen bashkë por këtë herë në paqe për të kujtuar ditët e vështira.
Bashkia e Kukësit i dha titullin qytetar nderi Bexhet Pacolli, ministër i punëve të jashtme dhe zëvendës-kryeministër i Kosovës, me motivacion: për kontributin tij në mbështetje të luftës çlirimtare, të kampeve të bashkëkombësve larguar nga lufta, si dhe vizionit për zhvleftësimin e kufijve midis shqiptarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik”.
Gjatë fjalimit Pacolli tha se Shqipëria e shpëtoi Kosovën në atë kohë. Ai foli për projekte ekonomike mes dy vendeve duke thënë se po shqyrton atë për ndërtimin e një hekurudhe që siç tha ai Lugina e Drinit të shndërrohet në një vektor komunikacioni nga më të rëndësishmit në Europë.
Top Channel