Teksa kanë mbetur edhe tetë ditë nga 22 prilli, Dita e Tokës, Veliaj bën të ditur se objektivi është të arrihet në 122 mijë pemë.
Punonjës të Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Agim Kraja ishin qytetarët që iu bashkuan aksionit për shtimin e gjelbërimit në Parkun e Farkës, i cili po shndërrohet në një hapësirë tërheqëse për familjet dhe të rinjtë e kryeqytetit.
“Jam shumë i lumtur që rrethohem nga dy miq të mirë që përfaqësojnë dy institucione shumë të rëndësishme të qytetit tonë, Agjencia e Zhvillimit Rajonal dhe Këshillin Bashkiak, një institucion që ka marrë vendime shumë të rëndësishme, që i jep mundësi Bashkisë së Tiranës të zgjerojë parqet, hapësirat e gjelbra dhe të vendosim qytetin përpara bindjeve tona”, u shpreh Veliaj.
Ai deklaroi se në këtë ndërmarrje të madhe, kontributin më të rëndësishëm e kanë dhënë qytetarët.
“Ndonjëherë ka njerëz që thonë: unë e bëj detyrën time të qytetit, punoj në një agjenci për qytetin, punoj në Këshillin Bashkiak për qytetin dhe kjo duhet të mjaftojë. Besoj që një qytetar i mirë është ai që shkon përtej minimumit të kërkuar dhe përtej detyrës së vet. Deri në datën 22 Prill do të kapim 122 mijë pemë dhe më vjen mirë që për herë të parë bashkia ka rol minorancë, kur shumicën e punës e ka bërë qytetaria e Tiranës. Të gjithëve ju jam pafundësisht mirënjohës”, shtoi ai.
Top Channel