Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësimin për vonesën në realizimin e reformës zgjedhore.
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësimin e tij sepse, megjithëse sot në dt. 13 Prill 2018, mbaron mandati 6 mujor i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore, nuk ka asnjë informacion nëse për ndonjë çështje të rëndësishme që është trajtuar të jetë arritur konsensus, nëse ka filluar ose jo puna me hartimin e draft amendamenteve në këtë Kod”, thuhet në njoftimin e KShH.
Në deklaratë thuhet se “jemi të vonuar dhe kjo vonesë është e pajustifikuar nëse do të shohim edhe historikun e reformës zgjedhore vitet e fundit”.
Vendimit i Kuvendit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar e ngarkon atë me detyrimin e trajtimit të rekomandimeve të Raporteve të OSBE/ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit të viteve 2013, 2015 dhe 2017, të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet dhe të propozimeve të partive politike që në zgjedhjet e fundit kanë marrë secila jo më pak se 1 % të votave.
“Ne mendojmë gjithashtu se jemi të vonuar qoftë edhe për faktin se në tre Raportet e mësipërme të OSBE/ODIHR-it janë paraqitur 75 Rekomandime midis tyre edhe nga ato që janë konsideruar prioritare siç është p.sh., rekomandimi për depolitizimin e organeve të administrimit zgjedhor në të gjithë nivelet”, thuhet më tej.
Top Channel