“Fryma e përzemërt, miqësore dhe bashkëpunuese karakterizoi, ashtu si gjithmonë, këtë takim”. Kështu e përshkruan drejtori i Kabinetit të Presidentit takimin e Ilir Metës me Donald Lu.
Arben Cici iu përgjigj interesimit të mediave për një koment në lidhje me çfarë u bisedua mes Presidentit dhe Ambasadorit, në takimin që u zhvillua vetëm një ditë pas publikimit të letrës që ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla kishte dërguar në Kongresin Amerikan, ku ndër të tjera thotë edhe se Ambasadori Donald Lu i ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës, në atë kohë kryetar i Kuvendit dhe i LSI-së.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri Donald Lu me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbi çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, çështjes së rëndësishme të hapjes së negociatave u nënvizua rëndësia e ecurisë dhe implementimit të reformës në drejtësi dhe u shkëmbyen mendime rreth situatës aktuale në vend”, thuhet më tej në reagimin e Presidencës.
Top Channel