Kandidati i Presidentit Trump për Sekretar i Shtetit, Mike Pompeo, tha në seancën për konfirmimin e kandidaturës së tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se nuk ka arsye që ai të konsiderohet si pasues i vijës së ashpër, siç shihet ai nga shumë qarqe në Uashington.
Pompeo tha para komisionit se ai do të mbështeste me forcë opsionet diplomatike, nëse konfirmohet kandidatura e tij.
“Rezultatet më të mira gjithmonë gjinden në tryezën e bisedimeve,” tha zoti Pompeo, i cili është diplomuar në akademinë ushtarake West Point.
Po ashtu, zoti Pompeo tha se do të mbushë postet e shumta diplomatike e zyrtare që kanë mbetur bosh që nga ardhja e administratës Trump, gjatë kohës kur ishte sekretar shteti Rex Tillerson.
Presidenti Trump e emëroi zotin Pompeo për postin e shefit të diplomacisë, pasi shkarkoi nga ky post Rex Tillersonin muajin e kaluar. Zoti Tillerson pati një marrëdhënie të trazuar me presidentin dhe ka pasur përplasje edhe me pjesëtarë të personelit të Shtëpisë së Bardhë.
Mike Pompeo, ish-ligjvënës konservator i lëvizjes Tea Party, ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin dhe shihet si një prej pasuesve më të zjarrtë të qëndrimit të presidentit “Amerika në plan të parë”.
Sot presidenti postoi një koment në Twitter ku thoshte: Mike Pompeo do të jetë një sekretar shteti i shkëlqyer.
Ariel Cohen i Këshillit të Atlantikut thotë “Mendoj se Pompeo është shumë më tepër përfaqësues i vijës së ashpër, shumë më tepër Trumpist, shumë më tepër entuziast i kësaj vale të re të nacionalizmit që po shohim në Amerikë dhe në gjithë botën”.
Pompeo ka qenë shumë më kritik se sa presidenti ndaj ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhjet e 2016.
Tensionet SHBA-Rusi u shkallëzuan javën e kaluar pasi, siç besohet, qeveria siriane ndërmori sulme me gaz kimik ndaj civilëve. Moska dhe Damasku këmbëngulin se qeveria siriane nuk kishte rol në këtë sulm.
Top Channel