“Mea Culpa” e Bushatit, i kërkon Ruçit ta ndëshkojë dhe shigjeton Bashën e Kryemadhin

12/04/2018 14:11

Ditmir Bushati iu drejtua rrjeteve sociale me një postim të gjatë, ku fillimisht kërkon ndjesë për gjestin instiktiv në Parlament, ku goditi me ujë deputetët e opozitës.

Ministri i Jashtëm thotë se kjo erdhi si pasojë e agresionit të ulët me miell e vezë dhe të tjera mjete rrethanore të atyre që i quan “pushtues” të foltores.

“Kërkoj ndjesë publikisht për faktin që nuk arrita të ruaj gjakftohtësinë në ato kushte krejt të paimagjinueshme për çdo mjedis publik, e lëre pastaj për një Parlament demokratik dhe i kërkoj Kryetarit të Kuvendit të kërkojë sanksionin përkatës ndaj meje”, deklaron ai.

Më tej, Bushati argumenton veprimin e tij me sjelljen e opozitës, që thotë se ka frikë nga reforma në drejtësi.

“Por reagimi im i tepërt në atë skenë ku ligësia e verbërisë politike u ul sot përsëri këmbëkryq, duke na turpëruar të gjithëve, edhe njëherë tjetër në sytë e prindërve e të fëmijëve të këtij vendit, as nuk e fshin as nuk e lehtëson barrën e rëndë të përgjegjsisë së dhunuesve recidivë të bashkëjetesës parlametare. Ata kanë frikë nga pasojat e reformës në drejtësi. Ata kanë frikë nga hedhja dritë mbi zullumet e tyre të njohura botërisht apo ende të panjohura për shumëkënd. Ata kanë frikë nga hija e tyre dhe bërtasin si ai që ka humbur rrugën në pyll, prej dëshpërimit që u shkakton frika prej gjurmëve që kanë lënë me vendimarrjet e veprimet e tyre korruptive gjatë viteve të keqqeverisjes”, vijon më tej ai.

Ministri shton se salla e Kuvendit është shndërruar nga shpurat e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit në një skenë turpëruese dhe e lidh qëndrimin e opozitës me hapjen e negociatave.

“Javën e ardhshme Shqiperia dhe shqiptarët presin një lajm të një rëndësie të posaçme; rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Në vend që të ishim sot të gjithë bashkë për këtë sukses të Shqipërisë, jo të qeverisë, të shqiptarëve pa dallim, jo të një pale në Kuvend, jemi ndarë keqaz nga një opozitë që investohet çdo ditë e më shumë për ta kthyer këtë vend në problem për miqtë e partnerët e Shqipërisë”, shton Bushati.

Sipas tij sa më shumë vendi i afrohet Europës, sa më të shumta e konkrete bëhen rezultatet e reformave dhe veçanërisht të reformës në Drejtësi dhe Vetingut, aq më keq ndjehen dhe sillen me vetë Shqipërinë, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi në krye të kanakarëve të tyre qorra e shurdhë ,ndaj çdo zëri arsyeje.

Në fund ai shpreh bindjen se vendi do ta marrë rekomandimin për hapjen e negociatave, që thotë se është një proces që nuk mund të bllokohet, ashtu sikundër edhe reforma në drejtësi.

“Sot po tentojnë të bllokojnë të ardhmen e Shqipërisë europiane. Nuk ia dolën atëherë, nuk do t’ia dalin dot as tani”, mbyll reagimin e tij ministri i Jashtëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA