Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka reaguar ndaj paraardhësit të tij Edmond Panariti për subvencionet e fermerëve.
“E vërteta sot është shumë larg nga ish-ministri dhe qeveria është sot shumë më pranë fermerëve se dje. Me bindjen se vetë kolegu thotë atë që i thonë të thotë dhe jo atë që mendon se duhet thënë, ja disa fakte e shifra që flasin vetë: Këtë vit kemi 6000 aplikime nga fermerët e vegjël, 25% më tepër se dje. Nxitja për bashkimin në shitje të fermerëve të vegjël, duke i përjashtuar bashkimet e tyre nga TVSH-ja e duke siguruar për to 25-50% më tepër financim krahasuar me fermerët individualë, është mbështetje reale për rritjen e të vegjëlve dhe aspak mohim mundësish për ta”, sqaron Peleshi.
Ai thotë se për herë të parë qeveria mbështet edhe ekonomitë jobujqësore si agroturizmi dhe produktet tipike, çka hap mundësi të reja për fermerët e vegjël.
“Shumë shpejt do të shohin të gjithë atë që di edhe miku im Panariti, ndryshimin cilësor në terrenin e jetës reale të fermerëve të vegjël që do të kthehen në shembull nxitës për kategorinë e tyre, duke u përfshirë në skemat e reja. Dhe kolegu im nuk duhet të shfaqet i mërzitur nga ky ndryshim, se fermerëve pa dallim u duhet bujqësia jo LSI-ja. Edhe Shqipërisë që punon tokën po ashtu”, shkruan Peleshi.
Top Channel