Pas publikimit të letrës që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla i dërgoi Kongresit Amerikan dhe që pretendonte se Donald Lu i kishte kërkuar të arrestojë Ilir Metën, ka ardhur edhe reagimi i ambasadorit amerikan në Tiranë.
Donald Lu, i pyetur nga gazetarët, është shprehur se ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara.
“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij”, thotë Lu.
Më tej, ambasadori amerikan është shprehur se pretendimi i Llallës se i është kërkuar të arrestojë Metën është gënjeshtër absurde.
“Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga Z. Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”, tha Donald Lu.
Top Channel